Ministri hungarez i Punëve të Jashtme Peter Szijjarto tha se Bashkimi Evropian duhet të jetë i vetëdijshëm se i duhet Ballkani Perëndimor më shumë se kurrë dhe shtoi se kur bëhet fjalë për politikën e sigurisë, Hungaria mund të përshpejtojë proceset e anëtarësimit.
Szijjarto e tha këtë gjatë Panelit Ministror në kuadër të Forumit Ballkanik të mbajtur në Budapest, ku marrin pjesë ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq, Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë Olta Xhaçka.
“Sa më shumë anëtarë, aq më i fortë është Bashkimi Evropian. Për të gjithë ata që avokojnë që ai të mos përhapet, mendoj se po punojnë për ta dobësuar atë”, tha Szijjarto, transmeton Tanjug.
Ai shtoi se kur është fjala për procesin e zgjerimit brenda BE-së, ka shumë pengesa për vendet kandidate.
“Hungaria, kur bëhet fjalë për politikën e sigurisë, mund t’i përshpejtojë këto procese sepse kemi një kërcënim të madh nga emigrantët dhe imigracioni i paligjshëm”, tha Szijjarto.
Ai vlerësoi se BE-ja nuk do të jetë në gjendje t’i bëjë ballë “presionit të emigrantëve” nëse nuk i përfshin vendet e Ballkanit Perëndimor në këto procese.
“BE duhet të përshpejtojë proceset e anëtarësimit dhe kjo nuk ka të bëjë fare me aspektet ligjore. Është thjesht një shprehje e vullnetit politik nëse duam ta presim dikë më herët ose më shpejt. Nuk duhet të flasim për disa pengesa. Ata që janë në favor të forcimit të BE-së janë në favor të aksesit më të shpejtë të anëtarëve të rinj”, tha Szijjarto.