Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të miratojë sot kërkesën e 7 partive për t’u regjistruar në zgjedhjet e 14 majit. Pas këtij regjistrimi, sipas procedurave më datë 15 mars aplikohet për koalicionet dhe më pas, më 27 mars depozitohet lista e kandidatëve për kryetar bashkie dhe lista shumë-emërore e kandidatëve për këshillat bashkiak sipas përkatësisë së koalicionit apo partisë.
Ajo që është interesante ditën e sotme në mbledhjen e KQZ-së është fakti se do të vendoset se cila PD do të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 majit, ajo e kandidatëve të Enkelejd Alibeajt apo e Sali Berishës.
Kujtojmë se me datë 3 mars, Gjykata e Apelit vendosi rrëzimin e vendimit të Agron Zhurkit duke e kthyer çështjen në Shkallën e Parë.
Partitë që shqyrtohen sot janë Partia Socialiste e Shqipërisë, Partia e Lirisë, Bindja Demokratike, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Lëvizja Bashkë, Partia Demokratike e Shqipërisë (Kërkesa e Rithemelimit) dhe Partia Demokratike (Kërkesa e PD-së zyrtare) .
Më 14 prill nis zyrtarisht fushata, 13 maji është heshtje zgjedhore dhe 14 maji dita e votimit.