Në tregjet botërore, çmimet e naftës u rritën javën e kaluar, falë shpresave të tregtarëve se kërkesa kineze do të “ngjitej” pasi rritja në ekonominë e dytë më të madhe në botë pritet të përshpejtohet, transmeton Hina.
Pavarësisht rritjes së përkohshme, çmimet e naftës janë ende pak më të ulëta në krahasim me fillimin e vitit.
Çmimi i një fuçie në tregun e Londrës u rrit me 3,2 për qind – në 85,83 dollarë, ndërsa në tregun amerikan çmimi i fuçisë u rrit me 4,4 për qind – në 79,68 dollarë.
Rritja e çmimeve vjen më së shumti nga treguesit makroekonomikë më të mirë se sa pritej nga Kina, të cilët tregojnë për përshpejtimin e rritjes së ekonomisë atje, pas një periudhe të gjatë dobësie.
Duke qenë se Kina është importuesi më i madh i naftës në botë, tregtarët presin një fuqizim të kërkesës.
Importet kineze të naftës ruse nga deti duhet të arrijnë nivelin më të lartë që kur të dhënat janë monitoruar në mars, vlerësojnë tregtarët.
Nga ana tjetër, rritja e çmimeve të energjisë kufizon përpjekjet e bankave qendrore të vendeve perëndimore për të shtypur inflacionin, pra për të dobësuar konsumin e popullsisë dhe për të ngadalësuar rritjen e ekonomive, gjë që, natyrisht, do të dobësonte kërkesa për “arin e zi”.
Ndërsa inflacioni në SHBA është ende i lartë dhe ekonomia po rritet në mënyrë të qëndrueshme, vlerësimet për rritjen e normave të interesit nga banka qendrore e SHBA janë rritur.
Ndërkohë, raporti i Wall Street Journal se Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) po mendojnë të largohen nga OPEC dhe të rrisin prodhimin e naftës shqetësoi gjithashtu tregtarët.
Menjëherë pas këtij lajmi, çmimet e naftës ranë ndjeshëm, por pasi lajmi u mohua shpejt, çmimet rikuperuan të gjitha humbjet e mëparshme.