Gjermania ka kompensuar pothuajse plotësisht humbjen e furnizimeve me gaz rus, falë rritjes së madhe të importeve nga Norvegjia, Holanda dhe Belgjika, pasi Moska ndërpreu furnizimet vitin e kaluar për shkak të mbështetjes perëndimore për Ukrainën.
Midis 2017 dhe fundit të shkurtit 2022, Gjermania importoi mesatarisht 77 teravat orë gaz natyror në muaj, minus eksportet, të cilat përdoreshin për të mbuluar konsumin kombëtar dhe për të mbushur magazinimin, sipas një dokumenti të brendshëm të Agjencisë Federale Gjermane të Gazit.
Në të kundërt, importet neto nga shtatori 2022 deri në fund të janarit të këtij viti – duke përjashtuar dërgesat e gazit rus – ishin 72.7 teravat orë në muaj.
Përveç kësaj, Gjermania importoi katër teravat orë gaz natyror të lëngshëm (LNG) në janar përmes terminaleve të rinj në brigjet gjermane.
Sipas dokumentit, mesatarisht 26 teravat orë gaz natyror në muaj mbërriti në Gjermani nga Norvegjia nga 2017 deri në fund të shkurtit 2022.
Pas ndërprerjes së dërgesave ruse, kjo sasi u rrit në 41 teravat orë, transmeton Hina.
Ndërkohë, importet neto nga Holanda u rritën nga dy në 25 teravat orë, ndërsa flukset e gazit nga Belgjika u rritën nga dy teravat orë në 23 në muaj, mesatarisht që nga shtatori.
Agjencia federale vazhdon të vlerësojë furnizimin me gaz të Gjermanisë si “të qëndrueshme”.