Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur ditën e sotme se duke filluar nga muaji prill të gjithë mjekëve në të gjithë vendin do t’u rritet paga me 50 mijë lekë. Në Kongresin e Shëndetësisë, Rama u ndal edhe tek autonomia spitalore, për të cilën tha se do të garantojë paga më të larta për mjekët me performancën më të mirë. Kreu i qeverisë është shprehur se studentët e mjekësisë sot paguajnë për shkollim 1/16 e kostos reale dhe se këtë gjë shteti nuk e bën që ata pasi të diplomohen të largohen nga vendi, por të kontribuojnë në atdhe.
“Ne i kemi rritur pagat me 63% nga 2013. Autonomia është një mekanizëm i ri që ka filluar të testohet tani në spitalin memorial dhe do krijojë mundësinë që të këtë në sistemin shëndetësor paga më të mira, por jo të barabarta. Autonomia do iu rrisë pagat atyre që punojnë më shumë, që bëjnë më shumë operacione vizita, por ndërkohë duhet të garantojmë pagë më dinjitoze tavan. Në këtë prill, mjekët specialistë do marrin 50 mijë lekë të reja plus në pagën e tyre”, tha Rama.