Pas vrasjes së 3-fishtë Partia Demokratike kërkoi dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi dhe i kërkoi llogari sistemit të drejtësisë që ka liruar një person me aq shumë krime mbi supe, siç ishte Dan Hutra.
“Te ky vrasës serial femrash, fatkeqësisht ka gisht sistemi i kalbur i ligjvënies në Shqipëri. Një pakujdesi fatale, një verbëri c’njerëzore ose një korrupsion trashanik i drejtësisë sonë me një këmbë na varr, ka cuar drejt varrit tri gra të pafajshme. Partia Demokratike kërkon marrje dhe mbajtje përgjegjësish. Gratë dhe vajzat e Shqipërisë nuk mund të vriten rrugëve. Shteti duhet të kontrollojë territorin dhe të bëjë zap kriminalitetin, ose të hapë rrugën! Ministri i Rendit pa rend duhet të japë dorëheqjen”, tha ish deputeti Klevis Balliu.
Në të njëjtën linjë, edhe deputeti socialist Erion Braçe fajësoi shoqërinë anti-grua dhe sistemin e drejtësisë për krime të tilla makabre.
“Sistemi nuk funksionon, por është në krahun e burrave vrasës, as ndëshkon e as edukon, thjesht i riciklon të vrasin përsëri. E gjitha është çështje kulture e mendësie, por edhe çështje sistemi, ligji, zbatimi të tij, drejt e pa tolerancë! Ka ardhur koha që ky takëm burrash që vrasin gra, t’i ndjekë një strukturë e posaçme, që nis tek policia e shkon deri në gjykatën më të lartë të këtij vendi”.
Në reagim, Braçe e vë theksin tek parandalimi, ndërsa i kërkon shtetit e drejtësisë të mbajnë përgjegjësi.
Nga ana tjetër, presidenti i vendit, Bajram Begaj i cili tha se dënon ngjarjen, duke theksuar se një gjë e tillë është e papranueshme.
“Lajmet makabre të ditës së sotme në Tiranë, ku tre gra janë vrarë e tre të tjera janë plagosur, janë tërësisht të papranueshme! I shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjeve të viktimave!
Fenomene të tilla të dhunës ekstreme apo të çdo lloj forme dhune ndaj grave nuk kanë vend dhe nuk mund të jenë pjesë e shoqërisë sonë demokratike, ku dinjiteti dhe jeta e njeriut janë vlera të larta dhe të pazëvendësueshme.
Dënoj ashpër të gjitha ngjarjet e dhunës në familje dhe kërkoj që organet ligjzbatuese të veprojnë me forcën e ligjit. Një shoqëri ku gruaja vritet, dhunohet, keqtrajtohet, nënshtrohet, është një shoqëri që nuk duhet të pushojë së vepruari deri sa ky realitet të ndryshojë totalisht”, tha Begaj.
Në të njëjtën linjë kanë qenë edhe deputetet e opozitës, Jorida Tabaku dhe Erisa Xhixho.
“Nuk ka asnjë justifikim, arsye, argument per një jetë te marrë! Nuk ka asnjë arsye, justifikim, argument se pse një dhunues i përsëritur duhet të lihet i lirë! Apo nuk vëzhgohet me kujdes nga forcat e policisë!
Këto modele dhune, kjo mënyrë e të fortit që kërcënon këdo e merr jetë dhe në pragun e derës e në shtepinë e tij sot po kthehet në normë e duhet të merren masa sa nuk ështe vonë! Le ta nisim nga ILD që duhet menjëherë të nisë një hetim për gjykatësin që ka amnistuar një vrasës te përsëritur! Le të vazhdojmë me institucionet e tjera shtetërore se çfrë duhet të ishin duke bërë për të mbikqyrur persona me background të tillë. Koha të veprojmë!” – shkroi Tabaku.
“Këto gra nuk janë vetëm viktima të tij, por edhe të një sistemi drejtësie që vrasësin gjakftohtë e lë t’ia hedhë me pak vite. Sot, të gjitha organet ligjzbatuese që kishin detyrimin ta mbikëqyrnin në vazhdimësi duhet të mbajnë përgjegjësi. Këto gra janë viktima të një shoqërie që e toleron dhunën, që shpesh rri indiferente se fundja “nuk është në shtëpinë time”, tha Xhixho.
Dan Hutra vrau 3 gra dhe plagosi 3 të tjera brenda një ore.