Sot do të mbahet mbledhja e parë e qeverisë shqiptare dhe asaj të Malit të Zi. Takimi do të zhvillohet në ndërtesën e re të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi (CANU), në rrugën Rista Stijovica 5, në Podgoricë.
Janë gjithsej 10 marrëveshje që do të nënshkruhen mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, ku një vëmendje të madhe do të marrë edhe projekti për ndërtimin e urës mbi lumin Buna. Projekti që do të nënshkruhet për ndërtimin e urës pritet që ta kthejë këtë në një zonë të përbashkët turistike, pasi do të lidhë Velipojën me pjesën tjetër të bregut në Malin e Zi.
Përveç këtyre, do të nënshkruhen edhe nëntë marrëveshje dhe memorandume në fushat e: energjisë, peshkimit, mbrojtjes së bimëve, mbrojtjes sociale, sportit, kulturës dhe medias, mbrojtjes, shëndetësisë, si dhe Marrëveshja për hapjen e kufirit të përbashkët në kalimin Shën Nikollë-Pulaj në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Pas nënshkrimit të dokumenteve të përbashkëta planifikohet të mbahet konferenca për shtyp e Kryeministrit të Malit të Zi Dritan Abazoviç dhe Kryeministrit të Shqipërisë Edi Ramës.
🇲🇪🇪🇺🇦🇱 Gjithçka është gati për G2G, pa dyshim ngjarje me rëndësi rajonale. Nesër mirëpresim delegacionin e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, të kryesuar nga kryeministri Edi Rama, i përbërë nga të gjithë ministrat dhe bashkëpunëtorët e tyre. Do nënshkruajmë 11 marrëveshje. ⬇️ pic.twitter.com/bfA7ITHJkl
— Dr Dritan Abazovic (@DritanAbazovic) February 26, 2023