Një grup vajzash të shkollës 9 vjeçare ‘Kongresi i Manastirit’ në Tiranë janë përfshirë në një sherr me grushte dhe sharje të rënda teksa rrahin një bashkëmoshatare të tyre. Më skandaloze bëhet ngjarja kur dëgjon gjuhën e përdorur nga vajzat, një gjuhë banale, rruge, e ndërsa më e rëndë është se askush nga bashkëmoshataret nuk ndërhyjnë, por nxisin dhunën.
Drejtuesit e shkollës mohojnë që ngjarja të ketë ndodhur brenda shkollës, e ndërsa thonë se askush nuk kishte raportuar ngjarjen as në shkollë e as në familje.
‘Sot në orën 14:45 nga rrjetet sociale jemi vënë në dijeni të një ngjarjeje të rëndë, e cila demonstrohet nëpërmjet një videoje, ku disa vajza dhunojnë njëra-tjetrën. Në përshkrimin e lajmit të dalë në disa media thuhet se kjo ngjarje ka ndodhur në mjediset e shkollës sonë, “Kongresi i Manastirit”.
Sipas informacioneve që siguruam nga prindërit e vajzave, ngjarja ka ndodhur në datën 15 shkurt 2023 në orën 14:00 në vendin e quajtur “Pallati Dilo” rreth një kilometër larg shkollës sonë. Pra theksojmë se kjo ngjarje nuk ka ndodhur në ambientet e shkollës sonë. Pavarësisht këtij fakti, shkolla u vu menjëherë në lëvizje dhe u bë verifikimi i menjëhershëm i ngjarjes së ndodhur dhe ka kërkuar nga policia e shtetit që ta hetojë dhe të marrë masa për atë që ka ndodhur. Asnjëra nga vajzat nuk e kanë raportuar askund ngjarjen, as tek prindërit e tyre, megjithatë shkolla jonë ka vënë në dijeni prindërit janë nga strukturat e shkollës dhe ata janë paraqitur menjëherë në shkollë me fëmijët e tyre.
Vëmë në dukje se i gjithë stafi i shkollës sonë, mësuesit, shërbimi psiko-social, oficeri i sigurisë, inspektori i zonës, gjithnjë jemi shumë të ndjeshëm dhe të kujdesshëm për të tilla raste, kur bëhet fjalë për mirëqenien fizike dhe mendore të nxënësve tanë, e cila është një prioritet absolut i yni.
Sigurojmë të gjithë nxënësit dhe prindërit që shkolla jonë do të jetë gjithnjë mjaft e prerë në vendimet ndaj çfarëdo lloj ngjarjeje apo fenomeni negativ që konstatohet nga ana jonë në ambientet e shkollës sonë, dhe jo vetëm.’- thuhet në reagimin zyrtar të shkollës ‘Kongresi i Manastirit’, thuhet në reagimin e shkollës.
Nga ana tjetër, pas bërjes publike të rastit, policia njofton se ka identifikuar dhe shoqëruar në polici së bashku me prindërit, të rejat. Sipas policisë në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në prezencë të prindërve dhe të punonjësve socialë, janë shoqëruar dhe po intervistohen 5 të mitur të moshave 13 dhe 14 vjeç (një djalë e 4 vajza).
‘Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë
Në lidhje me një video të publikuar në portale ditën e sotme, në të cilën shfaqen disa të mitura që dhunojnë një bashkëmoshataren e tyre, ju sqarojmë se:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën për identifikimin e shtetaseve që shfaqen në video si dhe sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje. Pas verifikimeve të kryera për identifikimin e tyre, në bashkëpunim edhe me drejtorinë e shkollës, u bë i mundur identifikimi i një të mituri që kishte filmuar konfliktin, si dhe identifikimi i 4 të miturave të përfshira në konflikt.
Në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në prezencë të prindërve dhe të punonjësve socialë, janë shoqëruar dhe po intervistohen 5 të mitur të moshave 13 dhe 14 vjeç (një djalë e 4 vajza).
Nga verifikimet paraprake të kryera, ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur me datë 15.02.2023, në rrugën “3 Dëshmorët”, dhe jo në ambientet e shkollës “Kongresi i Manastirit”. Vijon puna për sqarimin e rrethanave të konfliktit nëpërmjet shtetaseve të mitura. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.’- njofton policia.
View this post on Instagram