Amar Shkëmbi i arrestuar një ditë më parë në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara është mbajtur për rreth 2 javë nga autoritetet vendase. Gjatë momenteve të ndërhyrjes ka bërë rezistencë dhe ka qenë pa mjet identifikimi me vete. Pas kësaj është shoqëruar për verifikim dhe pas krahasimit të shenjave të gishtave me të dhënat që ka dërguar Policia e Shtetit atje që më herët, ka rezultuar se ishte shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për grup të strukturuar kriminal për një atentat në Shqipëri në 1 nëntor 2019.
Ekstradimi i tij drejt Tiranës mund të bëhet në vijim vetëm me një vendim të gjykatës në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas burimeve nga policia, ekziston një marrëveshje ekstradimi në bazë të disa konventave ndërkombëtare, të cilat mund të interpretohen nga gjykata atje për t’i dhënë dritën jeshile ardhjes së Shkëmbit në Shqipëri.
Amar Dritan Shkëmbi, ditën e atentatit dyshohet se ka qenë në automjet dhe këtë hetuesit e kanë mësuar shpejt në atë kohë, edhe pse po atë ditë ka rezultuar jashtë territorit të Shqipërisë referuar sistemit TIMS, duke ngjallur dyshime për njerëz brenda radhëve të bluve që mund ta kenë ndihmuar.
39-vjeçari ndodhej në kërkim ndërkombëtar, për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, ku mbeti i vrarë shoferi i tij, Andi Maloku. Gjykata e posaçme i ka caktuar shkëmbit arrest me burg për vrasje të funksionarëve publik të mbetur në tentativë, vrasje në rrethana cilësuese, mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve luftarake dhe municionit, grup të strukturuar kriminal dhe kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal.