Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka qindra dosje në hetim, por padyshim një nga dosjet më të rëndësishme është ajo e aferës CEZ-DIA, ku janë paditur ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-presidenti Ilir Meta.
“Kam pasur një ftesë për të ardhur në SPAK për një çështje të filluar në 2019. Kishte të bënte për çështjen e CEZ-DIA”.
Kështu u shpreh Meta pas daljes së tij nga SPAK.
“Unë tregoj sjelljen time prej shtetari me transparencë. Jam përgjigjur me qetësi dhe durim për t’i ndihmuar”.
Sipas tij, kjo çështje hapet sa herë që Partia Socialiste është në krizë.
“Ilir Meta nuk ka asnjë lidhje me privatizimin e CEZ-it, kohë kur isha në opozitë”.
Faktin që ka pasur skandale me aferën CEZ-DIA e ka konfirmuar edhe Gjykata e Tiranës pasi kreu i DIA-s është dënuar me burg, por asnjë politikan nuk ka dalë para drejtësisë.
Avokati Romeo Kara ka ngritur dy padi, një për privatizimin e OSSH-së nga CEZ dhe një për paktin CEZ-DIA për detyrime të prapambetura.
Dosja e privatizimit u pushua nga prokurori, ndërsa e mira e dosjes CEZ-DIA është se ndodhet prej kohësh në arkivin e SPAK dhe nuk dihet se çfarë do të ndodhë.
Avokati Kara në padinë që ka bërë në prokurori ka paraqitur 300 faqe informacion, ndërsa ka bërë një listë me argumentet e tij se pse kemi vepër penale.
Janë rreth 30 argumente, ku përfshihen Meta, Berisha dhe qeveria e asaj kohe.
Kara renditi fillimisht dëshmitë e dhëna nga ish-kreu i CEZ, Jozef Hejsek.
Sipas tij, ky i fundit tha: “Qazim Tepshi, në atë kohë ambasadori i Shqipërisë në Pragë, pas diskutimeve me eprorin e tij, ministrin e Jashtëm Ilir Meta, rekomandoi Kastriot Ismailajn, si arkëtues të borxhit të jashtëm të CEZ-it, duke paraqitur atë si aleat të ngushtë të ministrit të Jashtëm Ilir Meta dhe kryeministrit Berisha.
Kjo, sipas Hejsek, mund të ketë ndodhur në vjeshtën e vitit 2009.
Vjeshta e vitit 2009 rezulton të jetë pikërisht koha kur pala çeke filloi të administronte OSSH-në, të sapoprivatizuar në atë kohë prej tyre”.
Kara ka rrëfyer edhe bisedat me ish-zyrtarin e DIA-s, Elvis Mata.
Sipas tij, ai ka rrëfyer lidhjet e Metës me Kastriot Ismailin.
“Sipas asaj që është deklaruar disa herë, në ambiente të ndryshme, vetë Ismailaj, apo ish-drejtori ekzekutiv i DIA-s Elvis Mataj, dyshja Meta-Ismailaj janë takuar në Pragë me dyshen Martin Roman & Tomas Pleskash, të cilët ishin përkatësisht numri 1. dhe 2 drejtues të grupit CEZ.”
Ismailaj u mburr në më shumë se një rast, deklaroi se: ish-ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Pragë, Qazim Tepshi, është plagosur me dashje nga pala çeke, në mënyrë që të mos ishte i pranishëm në mbledhjen e lartpërmendur”, thuhet në dosje.
Kara përmend edhe paratë që kanë qarkulluar ndërkohë.
Asokoe, ERE uli çmimin e energjisë për CEZ.
Ky i fundit ua shiti qytetarëve më të shtrenjtë dhe fitoi miliona.
Sipas Karaj, nga ky favor janë kërkuar 10 milionë euro.