Policia e Shtetit ka njoftuar ditën e sotme se është arrestuar në Freiburg të Gjermanisë shtetasi shqiptar Silvester Driza. 30-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK pasi dyshohet se është i përfshirë në aferën e inceneratorëve.
Policia sqaron se i arrestuari në vitin 2017 ka themeluar një shoqëri fiktive me fushë veprimtarie trajtimin e integruar të inerteve dhe ka lëshuar fatura me çmime të larta, deri në fund të vitit 2018, kur i është miratuar leja ligjore për të kryer ketë veprimtari. Silvester Driza lëshonte fatura fiktive me çmime të larta.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”. Policia ka njoftuar se kanë nisur procedurat për ekstradimin e Silvester Drizës në vendin tonë.