Kinematografia shqiptare ka humbur një tjetër ikonë të saj. Mimika Luca, aktorja e njohur, ka ndërruar jetë.
Ajo është ndarë nga kjo botë në moshën 85-vjeçare si pasojë e një ishemie cerebrale.
Lajmi e ka konfirmuar i biri i saj, biznesmeni Gjergj Luca, i cili me anë të një postimi në rrjetet sociale ka bërë me dije ndarjen nga jeta të së ëmës, e ndërsa njofton se varrimi bëhet nesër.
Po kush ishte Mimika Luca?
Një aktore shumëdimensionale si në teatër ashtu edhe në kinematografi, pas njohjes me bashkëshortin e saj Ndrek Luca, një aktor i jashtëzakonshëm edhe ky për interpretimin e karaktereve dhe figurave artistike, Mimika Luca iu përkushtua me dashuri artit dramatik dhe ku pati sukses në interpretimet e saj.
Mimika Luca u lind në Gjirokastër, më 24 dhjetor të vitit 1937. Interpretoi në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, si balerinë, nga 1951 – 1962. Më 1962 pranohet aktore në Teatrin Popullor.
Gjatë karrierës së saj si aktore Mimika Luca ka interpretuar në rreth 30 role, Luçia te “Borgjezi fisnik”, Tjen Ny te “Muri i madh”, Dila te drama “Cuca e maleve”, Nica te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Laja te “Kur hidheshin themelet”, Sonja te “Xhaxha Vanja”. Interpretimin e saj ndër më të mirët e ka në dramën “Drita”, dramë e shkruar nga vetë aktorja.
Mimika Luca interpretoi gjithashtu edhe në 12 filma artistikë, si “Treni niset në shtatë pa pesë” “Përrallë nga e kaluara”, “Taulanti kërkon një motër” e shumë të tjerë. Shkroi edhe disa drama, të cilat u vunë në Teatrin Popullor, më e njohura “Drita”, etj. Në vitin 1977 kalon pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve, dega dramë.
Në vitin 1977 ajo emërohet edhe pedagoge në “Institutin e Lartë të Arteve” dega e Dramës.