Gjyqtarja Olta Zaçaj është zgjedhur me 5 vota si kryetarja e re e Gjykatës Kushtetuese.
Ajo mundi të siguronte votat e nevojshme gjatë mbledhjes të së hënës.
Zgjedhja e saj ndodhi në raundin e tretë, pas dështimit të dy raundeve të para më 15 dhe 17 shkurt.
Në garë për postin e kryetares së Gjykatës Kushtetuese ishin dhe gjyqtaret Fiona Papajorgji dhe Marjana Semini.
Zaçaj ka punuar si avokate e specializuar në të drejtën familjare, mbrojtjen e fëmijëve dhe transaksioneve me pasuri të patundshme në SHBA.
Gjithashtu ka qenë anëtare e Mbrojtësit Publik në SHBA.
Përpos kësaj ka punuar edhe si drejtore e Departamentit të Shërbimeve Ligjore në Shqipëri.
Ndër të tjera ka qenë dhe pedagoge për ciklin bachelor dhe master.
Po ashtu Zaçaj është angazhuar dhe ka kontribuar si eksperte ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare në një sërë iniciativash të UNICEF-it në Shqipëri, UNICEF-it në Kosovë, UNICEF-it në Gjeorgji, Këshillit të Evropës, Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Ajo është autore dhe bashkëautore e rreth 30 studimeve dhe botimeve në fushën e të drejtave të njeriut, të të drejtave të fëmijëve, të së drejtës familjare, të së drejtës bankare dhe të titujve.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në gusht të vitit 2022, e vlerësoi kandidaten me 82.2 pikë.
Në muajin janar të vitit 2023, Zaçaj u emërua anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ku dhe u betua te presidenti Begaj.