Një tjetër kallëzim në SPAK, pas atyre të socialistëve, ka ardhur për Sali Berishën lidhur me tragjedinë e 21 janarit.
Kësaj here janë familjarët e viktimave që i janë drejtuar SPAK për të kallëzuar Sali Berishën, ish kryeministër, Lulzimn Bashën, ish ministër i Brendshëm dhe Ndrea Prendit, ish kreun e Gardës, si përgjegjës për vrasjen e 4 viktimave në Bulevard. Ata këmbëngulin që kjo çështje të merret nga SPAK dhe jo nga Prokuroria e Tiranës, pasi sipas tyre ky institucion vepron politikisht dhe zvarrit çështjen.
Mark Nika ka kërkuar sërish sot takim me kreun e SPAK, Altin Dumani për t’i kërkuar që çështjen ta marrë SPAK në të kundërt nuk dërgojnë para drejtësisë audiopërgjimin.
Ne na ka rënë në dorë një kasetë, audio ku flitet për mekanizmin që ka përdorur garda. Aty identifikohet zëri i komandantit të gardës ku thuhet të qëllohet në mish. E dorëzojmë këtë vetëm te SPAK se te prokuroria nuk kemi besim. Ka një ndikim politik nëse nuk merret, se përgjigjen ata duhet të na i jepnin me shkrim, ata ja kanë kaluar prokurorisë, por prokuroria nuk ka këllqe ta hetojë këtë gjë. Ata thonë nuk kemi prova… s’mund të na i refuzojë”, tha ai.
Pyetur pse pikërisht në këtë ditë, kur Sali Berisha po proteston, Nika tha se nuk ka asnjë lidhje me politikën.
“Ne s’kemi lidhje me politikën, veprojmë të pavarur, ata atë punë kanë. S’kemi lënë takim në SPAK”- përfundoi ai.
Më 21 janar 2011 u vranë nga Garda 4 qytetarë gjatë protestës së PS para Kryeministrisë. Për Aleks Nikën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Hekuran Dedën ende nuk ka asnjë drejtësi, ndërsa familjarët presin që kjo të ndodh sa më shpejt.