Me rritjen e konkurrencës, rënien e fuqisë blerëse dhe emigrimin e popullsisë, fitimet për në biznes privat sa vijnë e po bëhen më të vështira.
Sipas Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve, në vitin 2021, fitimet në ekonomi ishin 258 miliardë lekë, ose rreth 2.2 miliardë lekë. Këto fitime u gjeneruan nga një qarkullim vjetor (të ardhura nga shitja e mallrave dhe shërbimeve) prej 2.78 trilionë lekësh, ose rreth 23 miliardë euro.
Norma e fitimit në ekonomi ishte 9.3%, që nënkupton që për 100 lekë të ardhura, bizneset gjeneruan mesatarisht 9.3 lekë fitime.
Normat e fitimit janë rritur ndjeshëm në krahasim me vitin e mëparshëm, kur të gjitha sipërmarrjet vuajtën pasojat e kufizimeve nga pandemia.
Të ndara sipas sektorëve, normat e kthimit kanë diferenca të mëdha.
Të shesësh një apartament ka fitim të shpejtë e të lartë. Sektori më fitimprurës në ekonomi në vitin 2021 ishte aktiviteti i “pasurive të paluajtshme”, me një normë rekord prej 31.9%, nga 28.8% vitin e mëparshëm. Ky aktivitet gjeneroi 14.8 miliardë lekë të ardhura në 2021 (117 milionë euro) dhe fitime prej 37 milionë eurosh.
Biznesi i dytë më fitimprurës në vend është ai i “shërbimeve të informacionit”, me një normë kthimi prej 25.1%.
“Shërbimet profesionale” janë sektori tjetër që gjenerojnë fitime të larta, edhe për faktin se është një punë mendore, që nuk ka shumë shpenzime fizike. Norma e fitimit në 2021 ishte 24.7%.
“Shëndetësia dhe aktivitetet e punës sociale” vijojnë renditjen, me një normë të deklaruar prej 24.2%. ky sektor ka shënuar dhe rritjen më të lartë të normës së fitimit në krahasim me 2019-n, me 10 pikë përqindje, duke qenë më i fituari nga pandemia, për shkak të interesit të lartë për kryerjen e analizave, apo detyrimit për tampon kur udhëtohej jashtë.
“Biznesi i akomodimit”, që përfshin kryesisht hoteleritë ka një kthim prej 16.5%, ndërsa “Shërbimi ushqimor”, apo aktiviteti i bareve dhe restoranteve, një ndër më të preferuarit në vend, ka një kthim zyrtar prej 13.6%.
“Ndërtimi” deklaron një normë fitimi mesatar prej 11.3%.
Sipas INSTAT, nga 30 aktivitete ekonomike që deklarohen të detajuara, vetëm pesë prej tyre kanë një normë fitimi më të lartë sesa 20%, nga të cilët vetëm pasuritë e paluajtshme e kanë mbi 30%.
11 sektorë të tjerë fitojnë midis 10-20% në vit.
14 sektorë, ose 46% e totalit të aktiviteteve ekonomike në vend, kanë norma më të ulëta sesa 10% (shiko grafikun: Normat e fitimeve sipas aktiviteteve ekonomike, 2021).
Industria e veshjeve dhe lëkurë-këpucëve, një nga punëdhënësit kryesorë në vend, që ka si avantazh konkurrues koston e ulët të fuqisë punëtore kishte një normë prej 8.5-8.9%.
Ndonëse numri i mediave, sidomos atyre televizive sa vjen e po rritet, të dhënat e INSTAT tregojnë se “Aktivitetet e publikimeve dhe prodhimeve të programeve” kanë një normë të ulët fitimi prej 7.2%, me pothuajse përgjysmim në krahasim me vitet e mëparshme.
Me zhvillimet teknologjike, që kanë mundësuar që shumë persona të planifikojnë vetë udhëtimet, agjencitë e udhëtimit kënaqen me një normë minimale kthimi prej 6.6% në vit, ndërsa në 2020-n, kur vendi ishte në pandemi, ato rezultuan me humbje.
“Telekomunikacioni dhe transmetime të programeve” kishte një normë minimale prej 0.3%, e lidhur kryesisht me aktivitetin e kompanive të telekomunikacioneve që ndryshe nga mesi i viteve 2000, kur kishin norma fitime të larta tashmë janë me rezultat minimal, ose me humbje./ Monitor