Kryebashkiaku i Torontos, John Tory dha dorëheqjen të premten vonë pasi pranoi se kishte një lidhje me një ish-punonjëse.
“Gjatë pandemisë, unë kam pasur një marrëdhënie me një punonjëse në ekipin tim në një mënyrë që nuk i plotëson standardet që i imponoj vetes si kryetar bashkie dhe si baba”, tha John Tory, në një konferencë për shtyp në bashki.
“Prandaj, kam vendosur të heq dorë nga posti im si kryetar bashkie në mënyrë që të kem kohë të reflektoj për gabimet e mia dhe të bëj atë që është e nevojshme për të rifituar besimin e familjes sime”, shtoi ai.
I rizgjedhur më pak se katër muaj më parë për një mandat të tretë, ai njoftoi se po largohej nga detyra një orë pasi gazeta Toronto Star publikoi një artikull mbi këtë marrëdhënie që zgjati disa muaj.
John Tory, 68 vjeç, e quajti lidhjen një “gabim serioz në gjykim” dhe i kërkoi falje publikut, kolegëve të tij, gruas dhe familjes së tij.
Sipas tij, ajo “përfundoi me pëlqim të ndërsjellë në fillim të këtij viti”. Ai kishte paralajmëruar, tha ai, një zyrtar të etikës brenda komunës.