Prej orës 09:00 të mëngjes, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri është thirrur në SPAK për të dëshmuar. Sipas burimeve, Gjiknuri është thërritur në SPAK në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen e abuzimeve të ndodhura gjatë zbatimit të projektit të rrugës Tiranë-Elbasan. Në kohën kur ishte Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë kallëzoi në prokurori abuzimet e konstatuara nga raporti i auditit të kryer për zbatimin e këtij projekti dhe përgjegjësitë e ish-drejtuesve të ARRSH-së.
Gjiknuri urdhëroi auditin dhe dorëzoi kallëzimin në dhjetor të vitit 2017. Ai po jep sot sërish shpjegime për këtë çështje pas pafajësisë që morën ish-zyrtarët e kallëzuar.
Bëhet fjalë për ish-drejtorin e ARRSH-së, Dashamir Xhika dhe disa ish-zyrtarë të tjerë të cilët morën pafajësi në Gjykatën penale por në vendim thuhej se ishte kryer abuzim dhe duhet të hetohej për të gjetur përgjegjësit.