Vajtuesit sirianë varrosën të mërkurën e 8 shkurtit trupat e familjes së një foshnjeje të porsalindur, e cila u nxorr e gjallë të martën nga rrënojat e një shtëpie në qytetin e kontrolluar nga rebelët, Jandairis, pasi ajo u gjet ende e lidhur nga kordoni i kërthizës me nënën e saj, e cila vdiq nga tërmeti masiv i të hënës.
Foshnja është e mbijetuara e vetme e familjes së saj, pjesa tjetër e së cilës u vranë të gjithë kur tërmeti me magnitudë 7.8 që goditi Sirinë dhe Turqinë fqinje rrafshoi shtëpinë e familjes në qytetin e kontrolluar nga rebelët të Jindayris, tha Khalil al-Suwadi.
Videoja e shpëtimit u bë virale në rrjetet sociale.
Pamjet tregojnë një burrë duke vrapuar nga rrënojat e një ndërtese katërkatëshe të shembur duke shtrënguar një foshnjë të vogël të mbuluar me pluhur.
Një burrë i dytë vrapon drejt të parit duke mbajtur një batanije në përpjekje për të ngrohur të porsalindurin në temperatura nën zero, ndërsa një i tretë bërtet që një makinë ta çojë në spital.
Foshnja u dërgua për trajtim në qytetin e afërt të Afrinit, ndërsa anëtarët e familjes kaluan disa orët e ardhshme duke rikuperuar trupat e babait të saj Abdullah, nënës Afraa, katër vëllezërve e motrave dhe një teze.