Bilanci i viktimave të tragjedisë është rritur në mënyrë të frikshme dhe zyrtarisht janë konfirmuar mbi 11. 2000 jetë të humbura në Turqi dhe Siri.
Në rajonet e goditura janë mbi 50 mijë persona të plagosur që po marrin ndihmë mjekësore. Me kalimin e orëve, shpresat për të gjetur të mbijetuar nën rrënoja nuk janë shuar, ndonëse kanë kaluar më shumë se dy ditë që nga goditja e parë fatale.
Ekipet e shpëtimit po vijojnë pareshtur kërkimet për të mbijetuar, por operacionet vështirësohen për shkak të temperaturave të ulëta.
Ndërkohë në terren janë edhe 73 forca nga skuadrat e kërkim-shpëtimit të Shqipërisë që po vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit që prej ditë së martë në zonat e prekura.
Një pjesë e skuadrës është vendosur në zonën e Mallatjas, në Turqi.
Gjatë ditës së hënë pjesëtarët e skuadrës shqiptare, në koordinim të plotë me autoritetet vendase dhe ekipet aleate nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile kanë ndihmuar në nxjerrjen e 3 trupave të pajetë, ndërsa është shpëtuar një fëmijë 5 vjeç, i cili ishte në gjendje të mirë shëndetësore pavarësisht orëve të gjata nën rrënoja.
Misioni ka vijuar pa ndërprerje përgjatë gjithë natës dhe ditës së sotme. Deri më tani me ndihmën edhe të pjesëtarëve të skuadrës shqiptare të kërkim-shpëtimit janë nxjerrë 3 trupa të tjerë.
Pjesëtarët e ekipit tonë shëndetësor kanë asistuar edhe në dhënien e ndihmës shëndetësore për dhjetëra persona të lënduar. Skuadrës së parë të kërkim-shpëtimit nga Shqipëria iu bashkuan sot edhe të tjera forca shtesë, për të mbështetur autoritetet turke në përballimin e pasojave të tërmetit të 6 shkurtit.