Pas shkrirjes së gjykatave të Apelit që nga 1 shkurti, në një të vetme në Tiranë, çështjet e mbetura pa një datë të caktuar janë rihedhur në short për të caktuar gjyqtarët. Mes çështjeve të “nxehta” në Apel, është edhe ankimimi që Partia Demokratike e Enkelejd Alibeajt që i kanë kërkuar Gjykatës që të hedhë poshtë vendimin e marrë nga gjyqtari, Agron Zhukri, i cili më 25 mars 2022 njohu statutin e dalë nga Kuvendi i Sali Berishës më 11 dhjetor.
Shorti i hedhur të premten, ka përcaktuar që fatin e Partisë Demokratike në Apel, ta ndajë gjyqtarja Elona Mihali e cila do të jetë gjyqtare relatore, ndërsa anëtarë janë caktuar gjyqtarët Irida Kacerja e Astrit Kalaja. Nëse Gjykata pranon padinë e Alibeajt, atëherë përfundimisht vula do i mbetet atij. Por nëse Gjykata e Apelit e rrëzon padinë e Alibeajt, në këtë rast për Berishën do të ishte fitore dhe do mund të regjistrohej ai si kryetar i Partisë Demokratike.
Ivi Kaso, përfaqësuesi ligjor i PD-së të drejtuar nga Berisha ka qenë prezent në procesin e hedhjes së shortit për të mësuar se kush do të jetë trupa gjykuese për këtë çështje, ndërsa nuk ka preferuar të japë një prononcim për mediat
Situata politike brenda kampit opozitar duket se ia ka vështirësuar punën edhe Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi paralajmëroi se nëse nuk zgjidhet ngërçi brenda PD-së, rrezikon që partia më e madhe opozitare të mos futet në zgjedhjet vendore të 14 majit.
6 marsi është dita e fundit për regjistrimin e forcave politike pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale të 14 majit dhe sherri për drejtimin e Partinë Demokratike duhet te marrë fund para këtij afati.
Deri më tani, në gjykatën e Tiranës rezulton ende kryetar Lulzim Basha që dha dorëheqjen, ndërsa vendimi që pritet të ndajë përfundimisht se kush e ka drejtimin e partisë mes kryetarit të komanduar Alibeaj dhe Berishës, është ai i Apelit që deri më tani është shtyrë disa herë.