Në maturën 2023, do të ketë ndryshime në provime. Mësohet se për herë të parë do të hartohet në tezë e posacme për personat me aftësi ndryshe. Vendimi është bërë publik nga ministrja e arsimit, Evis Kushi, e cila ka bërë me dije se kjo ardhur për shkak se një numër i konsiderueshëm i këtyre nxënësve studiojnë në shkolla normale.
“90% e nxënësve me aftësi ndryshe mësojnë në shkolla normale. Vetëm 10% e nxënësve që janë në një shkallë vështirësie më të lartë mësojnë në shkollat speciale apo në Institutin e Nxënësve që nuk dëgjojnë. Këtë vit i kemi kërkuar QSHA dhe së shpejti do të hartojë teste të vecanta të një shkalle vështirësie më të lehtë për maturantë që konstatohen me aftësi ndryshe sipas një komisioni të vecantë”, tha ministrja.
Po ashtu, është bërë me dije se do të hiqet edhe fletëpërgjigja, ajo ku bazoheshin përgjigjet në korrigjim. Për ministren kjo shkaktonte konfuzion dhe kanq qenë nxënësit ato që e kanë bërë një kërkesë të tillë.
“Po ashtu një kërkesë nga maturantët dhe mësuesit është heqja e fletëpërgjigjes se shkaktonte konfuzion edhe te maturantët por ndonjëherë edhe ngatërresa në korrigjime. Fletëpërgjigja nuk do të jetë më dhe rrisim garancinë që cilësia e korrigjimit do të jetë më e lartë”, përfundoi ministrja Kushi.
Provimi i parë do të jetë ai i anglishtes, i cili do të zhvillohet më 1 qershor. Provimi i dytë do jetë për gjuhën shqipe dhe letërsinë, i cili është vendosur të zhvillohet me 7 qershor.
Provimi i matematikës, është provimi i tretë për maturantë dhe do zhvillohet më datë 13 qershor. Lënda me zgjedhje është dhe provimi i fundit, i cili do zhvillohet më datë 19 qershor. Si çdo vit, është vendosur që provimet të kenë largësi afërsisht një javë nga njëri-tjetri.