Një tjetër sektor, që pritet të zgjidhë mungesën e fuqisë punëtore me marrjen e punonjësve të huaj, është ai i transportit të mallrave të importit.
Së shpejti 10 shoferë kamionësh me eksperiencë të ngjashme nga Egjipti pritet të vijnë në Shqipëri.
Rudolf Xhillari administratori i kompanisë së transportit të mallrave “Balkan Trans Albania” tha për Monitor se aktualisht ka një mungesë së theksuar të drejtuesve të kamionëve. Për shkak të kësaj problematike që për 2023 ka nisur të thellohet, kompania “Balkan Trans Albania” ka aplikuar pranë një agjencie punësimesh për marrjen e 10 shoferëve të kamionëve nga Egjipti.
“Problematika e fuqisë punëtorë është thelluar këtë vit. 25 deri 30% e mjeteve qëndrojnë pa punë, pasi mungojnë drejtuesit e kamionëve. Ndërsa kërkesa për transport mallrash është e lartë, por nuk arrihet të plotësohet për shkak të kësaj problematike. Punonjësit mungojnë pasi kanë emigruar drejt Europës, kryesisht për në Gjermani. Pavarësisht se kemi rritur pagat, janë larguar. Aplikimet për marrjen e shoferëve nga Egjipti po shihet si zgjidhje, për të mos lëne më kamionët pa punë që transportojnë mallrat e porositura nga importi”.
Xhillari pohon se paga minimale e drejtuesve të kamionëve në Shqipëri variojnë nga 500 deri në 600 euro, ndërsa maksimalja nis nga 1,000-1,500 deri 2,000 euro. Rrogat për drejtuesit e kamionëve në Europë nisin nga 2,000 euro.
“Duke u plotësuar akomodimin dhe ushqimin parashikojmë që kostot e pagesave për shoferët egjiptianë te jenë në nivelin e vendasve. Presim që rendimenti në punë i tyre të jetë më i lartë se vendasit. Gjithashtu kërkojmë nga institucionet shtetërore lehtësimin e proceduarave të kontratave të punësimit nëpërmjet të parashikuar nëpërmjet Kodit të Punës”, shton Xhillari.
Por mungesa e fuqisë punëtore pritet të sjellë shtrenjtim të tarifave të transportit nga marsi 2023. Rritja e tarifave do të vijë 1 vit pas stabilizimit të tyre nga pandemia. Një tjetër operator nënvizon se arsyeja që çmimet do të ndryshojnë është mungesa e fuqisë punëtore, kryesisht shoferëve të kamionëve që largohen drejt Gjermanisë.
“Për ne transportuesit problemi kryesor aktualisht janë burimet njerëzore. Nuk kemi drejtues kamionësh, pasi janë larguar në emigracion, kryesisht Gjermani dhe vazhdojnë të largohen. Shumë mjete rrinë pa drejtues. Është një problem i përgjithshëm.
Por kjo situatë ka pasoja, pasi po ndikon te kostot e kompanive. Jemi të detyruar të rrisim pagat dhe dietat e punonjësve. Në kahun tjetër edhe çmimi i lartë i karburantit ka rritur kostot. Për muajt janar-shkurt do të shohim se si do të maturohen kostot e shtuara, dhe mendojmë që nga muaji mars të fillojmë me rritjen e çmimeve”, pohoi për Monitor një nga përfaqësuesit e kompanive të transportit të mallrave.
Pas shtrenjtimi deri 4-fish të tarifave të transportit të mallrave që nisën pas pandemisë, nga prilli i vitit të kaluar deri tani çmimet e tarifave të transportit janë normalizuar.
Rritja më e lartë ishte për tarifat e transportit nga Kina. Para periudhës së krizës, tarifa për importin e një kontejneri me mallra nga Kina ishte 2,000 deri 3,000 dollarë. Tarifa e transportit në 2021 arriti në 12,000-17,000 dollarë. Aktualisht tarifat për transportin e mallrave me kontejner nga Kina variojnë 2,400 USD/20’DV deri 3,400 USD/40’DV nga 17,000 USD që arritën në 2021.
Tarifat e transportit me kamion për vendet fqinje si Italia nga 900 deri 1,000 euro variojnë deri në 2,000.
Operatorë të transportit të mallrave më herët pohuan se largimi i popullsisë, por edhe rritja e çmimeve ndikoi te tkurrja e konsumit. për shkak të ndryshimit të konsumit kompanitë e transportit të mallrave u përballen në muajin dhjetor me rënie të kërkesës për importe.