Oficerët e policisë gjyqësore janë paraqitur në banesën e familjes së Aleks Nikës në Lezhë, për të marrë audio regjistrimin e komunikimeve mes punonjësve të Gardës gjatë protestës së 21 Janarit. Nika humbi jetën në këtë protestë nga një plumb që ende nuk është zbuluar se kush e ka qëlluar. Bashkë më të në protestë u vranë edhe Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.
Në audion të cilën kërkon Policia Gjyqësore, pretendohet se dëgjohet ish-shefit të Gardës së Republikës Ndrea Prendi, drejtuar vartësve për të qëndruar të gatshëm për të qëlluar ndaj protestuesve. Pas publikimit në media, kjo audio iu dorëzua familjarëve të të ndjerit Aleks Nika, ndërsa prokuroria e Tiranës, ka nisur edhe një hetim për verifikimin e audio regjistrimit. Pavarësisht kësaj, Prokuroria ia ka deleguar Policisë së Tiranës, për të marrë audio regjistrimin.
Veprimet e oficerëve të policisë gjyqësore vijnë në një kohë ku ka pasur edhe përfshirje të politikës në hetim, pasi Partia Socialiste ka bërë një kallëzim për të proceduar penalisht ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha.
Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, mësohet se nuk e ka dorëzuar audio- regjistrimin te Policia Gjyqësore, pasi sipas tij çështja e 21 Janarit duhet të merret në dorë nga Prokuroria e Posaçme, dhe jo nga ajo e Tiranës. Mark Nika është takuar edhe me kreun e SPAK Altin Dumanin, ku ka kërkuar që dosja t’i kalojë SPAK dhe të hetohet prej tyre.
Janë bërë 12 vite nga një prej ngjarjeve që ka shënjuar më së shumti historinë e të paktën këtyre 32 viteve demokraci në Shqipëri, krimi i rëndë i 21 janarit 2011, kur u vranë në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ 4 protestues opozitarë. Në Prokurorinë e Tiranë vijojnë hetimet për 2 nga vrasjet që ka mbetur pa autor më 21 janar, ajo e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës, ndërkohë që thirrjet që çështja t’i kalojë SPAK-ut janë intensifikuar edhe nga politika.