Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ditën e sotme ka firmosur marrëveshje koalicioni me PBDNJ-në e Vangjel Dules për zgjedhjet e vendore të 14 majit.
Në Bashkitë e Himarës, Dropullit dhe Finiqit koalicioni i Berishës dhe Metës nuk do të kenë kandidatë për zgjedhjet e 14 majit pasi ia kanë lënë zonë të lirë PBDNJ-së së Vangjel Dules. Në këto tre bashki PBDNJ ka përcaktuar kandidatët. Fredi Bejleri do të jetë kandidat në Bashkinë e Himarës, Thanas Maneka për Dropullin ndërsa për Finiqin do të jetë kryebashkiaku aktual, Leonidha Kristo.
Berisha pas nënshkrimit të marrëveshjes u shpreh se kjo marrëveshje është një kënaqësi për PD-në dhe se kjo luftë po bëhet për regjimin e Edi Ramës.
“Kënaqësi për këtë marrëveshje me një aleat të hershëm të Partisëe Demokratike me të cilët ne vendosim që të bëjmë një beteje të përbashkët kundër monizmit të një prej regjime më të korruptuara në Evropë, regjimi i Edi Ramës. Do t’i kthejmë bashkitë qytetarëve shqiptarë, do t’i kthejmë në shtëpitë e përbashkëta të shqiptarëve. Me këtë marrëveshje kemi shënuar një jap shumë të rëndësishëm në realizimin e objektivave të përbashkëta”, tha Berisha pas firmosjes së marrëveshjes.
Ndërsa kryetari i PBDNJ u shpreh se bashkëpunimi me demokratët nuk ndodh për herë të parë dhe se edhe më parë ky bashkëpunim ka rezultuar i suksesshëm.
“Shpreh kënaqësinë për nënshkrimin e marrëveshjes me Sali Berishën. Është një bashkëpunim i hershëm me Partinë Demokratike, dhe shpesh i suksesshëm. Dua të veçoj këtu -2005-2009, që është një prej katërvjeçarëve më të mirë të qeverisjes. Duhet thënë që demokracia dhe shteti në Shqipëri aktualisht është në intubim. Rruga është e gjatë, e vështirë por na garanton fitoren. 14 maji të jetë një pikë e rëndësishme kthese për mbarësi dhe përparim”, tha Dule, duke nënvizuar se sipas tij ndryshimi në bashkitë e vendit do të jetë shumë i madh.