Pasi mazhoranca e ka kallëzuar zyrtarisht me akuzën e vrasje dhe shpërdorime detyre lidhur me 21 janarit, Sali Berisha e ka konsideruar si një “budallik”, që është bërë nga truproja e kryeministrit Edi Rama, referuar Ulsi Manjës, ministrit të Drejtësisë. Në fjalën e tij, Berisha tha se njeriu përgjegjës është vetëm Edi Rama, ai që organizoi edhe protestën.
“Të mos merrem unë me budallallëqet e Ulsit, ai sillet si truprojë e Edi Ramës. A ia vlen ta komentojmë atë? Njeriu direkt përgjegjës, organizator kryesor është një dhe vetëm një Edi Rama. Kurrë nuk do t’i ndahet kjo akuzë”, tha Berisha.
Një koment ka ardhur edhe nga Ilir ,eta, kryetari i Partisë së Lirisë njëherazi edhe aleati më i ngushtë i Sali Berishës. Meta tha se kjo është një histori e sajuar me qëllim që të shmanget vëmendja nga skandalet e qeverisë. Duke u ndalur te kallëzimi që PS ka bërë kundrejt ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha dhe ish-kreun i gardës Ndrea Prendi, për Metën ky është një tregues se drejtësia hap e mbyll çështje me urdhër të Edi Ramës.
“Kjo është një shashkë e nivelit më ordiner për të shmangur vëmendjen nga afera inceneratorëve dhe skandale të tjera. Këto janë histori që nuk i fshehin dot skandalet e Ramës. Tregojnë ca niveli është drejtësia, që hap e mbyll çështje me urdhër të Edi Ramës. Mashtrimet e Edi Ramës nuk i sheh drejtësia e pavarur, ata të hetojnë edhe para 12 vjetësh edhe para 3 mijë vjetësh, por shqiptarët nuk janë budallenj e shohin sesi po vidhen nga Rama dhe mezi po presin 14 majin për ta ndëshkuar këtë regjim”, tha Meta.
Dje mazhoranca kallëzoi në SPAK ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha dhe ish-kreun i gardës Ndrea Prendi si përgjegjës për 4 vrasjet në 21 janar.