Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi se do të emërojë diplomatin e karrierës David J. Kostelancik për postin e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Kostelancik ka shërbyer në ambasadën amerikane në Shqipëri në fillim të viteve ’90, në zyrën politike.
David J. Kostelancik, shërben aktualisht si Këshilltar për Politikën e Jashtme i Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneral Mark Milley. Ai ka shërbyer më
më herët si zëvendës Shef i Misionit dhe për dy vjet, si i Ngarkuar me Punë i përkohshëm në Ambasadën e SHBA-së në Budapest të Hungarisë.
Ai ka mbajtur gjithashtu pozicionet e Drejtorit të Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore Qendrore dhe Drejtorit të Zyrës për Çështjet Ruse, në Byronë për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë si dhe të Drejtorit të Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare për Çështjet e Narkotikëve dhe Zbatmit të Ligjit.
Kostelancik ka shërbyer dy herë në Ambasadën amerikane në Moskë. Ai ka shërbyer edhe në misionet e SHBA-së në OSBE dhe NATO. Ai ka shërbyer gjithashtu edhe në Ankara të Turqisë.
Diplomati Kostelancik, me origjinë nga shteti i Ilinoit, është diplomuar në Universitetin Northwestern të këtij shteti. Ai ka gjithashtu dy diploma master nga Kolegji Kombëtar i Luftës, dhe Universiteti i Miçiganit. Ai flet rusisht, hungarisht, shqip dhe turqisht. Nëse kandidatura e tij miratohet nga Senati, diplomati Kostelancik do të zëvendësojë ambasadoren aktuale amerikane në Shqipëri, Yuri Kim.