Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë Partisë Demokratike lidhur me kërkesën e saj për heqjen e mandatit të ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.
‘Kushtetuesja’ ka vendosur të pranojë kërkesën e grupit të Enkelejd Alibeaj dhe të konsiderojë të papajtueshëm me Kushtetutën vendimin e Kuvendit, i cili nuk miratoi kërkesën e deputetëve të PD-së për mandatin e Olta Xhaçkës. Sipas këtij vendimi, Kuvendi detyrohet ta dërgojë çështjen në GJK dhe mandati i Xhaçkës të shqyrtohet në themel.
Kërkesa tjetër e grupit të deputetëve të përfaqësuar nga Agron Shehaj është pushuar për shkak se nuk është plotësuar kuorumi. Kjo sepse ‘Rithemelimi’ e dërgoi çështjen me 1/5 e deputetëve që do të thotë me të paktën 28 deputetë. PD-ja kërkon heqjen e mandatit të Xhaçkës, pasi e akuzon se ka konflikt interesi përmes bashkëshortit të saj si investitor strategjik. Një akuzë të tillë, ministrja e ka mohuar disa herë.
Vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese në datën 18.01.2023, në orën 10:00, mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me nr. 9 (NJ) 2022 Regjistri Themeltar, me kërkues jo më pak se 1/10 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10 e deputetëve. Deklarimi i vendimeve nr. 83, datë 17.11.2022 “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, në mbështetje të neneve 131, shkronja “ç”, si dhe të neneve 54, 55, 56, 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,
VENDOSI:
1. Pranimin e kërkesës.
2. Zgjidhjen e konfliktit/mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10 e deputetëve.
3. Shfuqizimin e vendimeve nr. 83, datë 17.11.2022 “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese”.