Në Berlin, një Mercedes i zi me shpejtësi të lartë u përplas fatalisht në një nga atraksionet kryesore të kryeqytetit gjerman – Portën e Brandenburgut.
Për këtë shkruan Bild.
“Sipas informacioneve paraprake, askush tjetër nuk është lënduar”, shkruan policia në Twitter. Gjatë natës, hetuesit kanë regjistruar gjurmë në vendin e ngjarjes në sheshin e Parisit në lagjen Mitte.
Një Mercedes i zi u përplas me shpejtësi të madhe mbrëmjen e së dielës rreth orës 23:30, nga ana lindore e rrugës Unter den Linden. Makina e dëmtuar rëndë u ndal, e ngujuar mes dy shtyllave të portës.
Sipas Bild, disa dëshmitarë okularë kanë nxituar në ndihmë, por shoferi ka ndërruar jetë në vend.
Nuk dihen detaje dhe rrethana të tjera të ngjarjes.
“Vazhdojnë hetimet për identitetin e drejtuesit të mjetit dhe atë që ka ndodhur”, tha policia.
Sipas shërbimit zjarrfikës, në vendngjarje kanë punuar 30 përfaqësues të shërbimeve emergjente.
Rreth vendit të aksidentit është ngritur një gardh. Sipas Bild, në makinë ishin vendosur targa polake.