Arrestimi i europarlamentares greke Eva Kalili, pak javë më parë, për korrupsion, në kohën kur mbante edhe postin e zv\kryetares së Parlamentit Evropian, ka shkaktuar furtunë në institucionet evropiane.
Për këtë arsye, europarlamentarët kanë bërë gati plan 14-pikësh për të forcuar rregullat për transparencën financiare të deputetëve dhe kontaktet e tyre me lobistët.
Në këtë formë, parashikohet që ligjvënësit të japin më shumë detaje në deklaratat e tyre financiare, jo thjesht të shkruajnë “konsulencë” si burim për të ardhurat jashtë rroge. Në rast se kapen me shkelje, do të kenë sanksione më të forta.
Nga ana tjetër, ndonëse nuk kanë asgjë konkrete, mediat në Bruksel shkruajnë për një zyrtare tjetër që ka rënë në rrjetën e hetimeve anti-korrupsion. Kryetarja e një komiteti të të drejtave të njeriut të Parlamentit Evropian ka dhënë dorëheqjen pasi nuk ka deklaruar udhëtimet në Katar.
Maria Arena, eurodeputete socialiste belge, nuk kishte deklaruar fluturimet falas dhe qëndrimin në një hotel luksoz si mysafire e qeverisë së Katarit. Deri më tani nuk ka ndonjë hetim ndaj saj, e ndërsa është thënë se largimi i saj nuk ka qenë kërkuar nga drejtuesit e PE-së.
Deri më tani, për skandalin që tronditi institucionin europian, autoritetet belge kanë akuzuar katër persona, duke përfshirë ligjvënësen greke Eva Kaili dhe ish-deputetin e parlamentit italian Pier Antonio Panzeri.