Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka komentuar përjashtimin e 4 deputetëve nga Enkelejd Alibeaj. Në një komunikim për mediat, Meta nuk i kurseu notat ironike, ku tha se 4 deputetët e përjashtuar, Tritan Shehun, Oerd Bylykbashi, Belind Këlliçin dhe Agron Shehajn kanë bërë super reflektim kërkojnë që të vendosin Ervin Salianjin në krye të grupit parlamentar.
Kjo deklaratë konfirmoi edhe mbledhjen e firmave kundër shkarkimit të Alibeajt.
“Nuk më takon mua të komentoj zhvillime të tilla, pasi qëndrimi se kush është PD është e qartë. Vendimi është marrë në 6 mars. Unë respektoj vendimin e popullit. Lidhur me këtë çështje, me aq sa kam parë ka ndodhur një paradoks. Katër deputetët që janë shembullorë, paskan bërë një super reflektim për ngjarjen e 8 janarit”, u shpreh Meta.
Nga ana tjetër, Jorida Tabaku, e sheh si një pikë të ulët që mund të arrinte Partia Demokratike. Tabaku thotë se këto nisma ndikojnë në copëzimin e mëtejshëm të opozitës, e cila sot sipas saj gëzon besueshmëri më të ulët se qeveria.
“Besoj që të gjithë më keni ndjekur në diskutime e mia në këtë periudhë në PD që kam qenë konstruktive. Nuk më ka thirrur askush për mbledhje grupi, nuk kam asnjë dijeni për mbledhje firmash dhe proces tjetër. Qëllimi im është ta bëjmë PD-në alternativë dhe forcë fituese. Është e papranueshme sot që opozita është më pak e besueshme sesa qeveria. Unë do të punoj çdo që kjo të ndodhë sa më shpejt. Asnjëherë se kam menduar që PD të shkojë në këtë rrugë. Ka një kryetar grupi që mirë apo keq po e bën punën e tij. Copëzimi i mëtejshëm nuk e ndihmon PD-në”, tha ajo.
2 ditë më parë Enkelejd Alibeaj ka njoftuar se ka përjashtuar nga grupi parlamentar 4 deputetë që janë mbështetës të Sali Berishës. Më konkretisht bëhet fjalë Tritan Shehun, Oerd Bylykbashi, Belind Këlliçin dhe Agron Shehajn, për të cilën është njoftuar edhe Kuvendi.
Një vendim i tillë sipas njoftimit zyrtar vjen pasi 4 deputetë nuk kanë reflektuar për aktet e dhunës ndaj selisë së PD-së në protestën e 8 janarit. Ato ishin pezulluar më herët nga Basha, e ndërsa me firmën e Alibeaj janë përjashtuar nga grupi.