Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj ka rënë në prangat e policisë pasi akuzohet për shpërdorim detyre. Mësohet se ai ishte i përfshirë në një skemë mashtrimi me një dëm ndaj shtetit prej 1.2 mln euro. Në pranga kanë rënë edhe përmbaruesi Alban Ruli dhe drejtori juridik i Ministrisë së Financave’, Fatmir Hoxhaj.
Skema e mashtrimit
Referuar njoftimit të Prokurorisë, këta shtetas kanë vepruar duke pranuar shpërblimin e shtetasit Ilir Thana në vlerën e rreth 82.000.000 lekëve, nga të cilat 50.000.000 lekë të kaluara në llogarinë e këtij shtetasi duke e trajtuar si pronar pa qenë në këtë status si dhe duke ekzekutuar për herë të dytë një vendim gjyqësor të ekzekutuar nga Ministria e Financave në vitin 2015.
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin e saj nr. 16, datë 14.07.2000 ka vendosur: “Urdhërohet zgjidhja e pasojave për konstatimin e pavlefshmërisë së kontratës së shitjes datë 23.04.1992 të lidhur mes shitësave Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar dhe A.K Privatizimit dhe blerësit I.Th, duke i kthyer palët në gjendjen e mëparshme, ku objekti magazinë nr.2 i kthehet Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar dhe kjo e fundit së bashku me AKP-në t’i kthejë bleresit I.Th vlerën e objekteve të blera (magazine dhe truall) që është 103.046 lekë të konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve në kohën e ekzekutimit të vendimit”.
Ministria e Financave dhe Ekonimisë ka ekzekutuar vendimin nr.9150 datë 12.11.1996 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit, duke shlyer detyrimin e plotë ndaj kreditorit I.Th sa vlera e objekteve të blera e konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve, bazuar në informacionin e dërguar nga Sektori i Publikimeve në INSTAT.
Në zbatim të vendimit të mësipërm, nga Ministria e Financave është transferuar në llogaritë në llogaritë e I.Th vlera prej 284.139 me urdhër shpenzimi nr.90 datë 27.02.2015.
Më tej, rezulton se shtetasi I. Th është drejtuar zyrës përmbarimore, e cila në kundërshtim flagrant me ligjin ka vlerësuar në vitin 2022, objektin magazinë dhe truallin për një vlerë të përgjithshme prej 145.867.920 , duke u hequr dhe trajtuar si ish pronar shtetasin I. Th në një kohë që nuk ka qenë asnjëherë me këtë status.
E gjithë vlera e përcaktuar për t’ju dhënë këtij shtetasi është e përcaktuar në kundërshtim me ligjin dhe cenon buxhetin e shtetit në rreth 1.200.000 euro.
Deri në këtë fazë rezulton se Ministria e Financave ka kaluar në favor të Ilir Thanës shumën 48.118.366 lekë. Nga kjo shumë është e provuar se 25.000.000 lekë kanë kaluar në favor të shtetases Sh.P.
Organi procedues konstaton dhe çmon se ka dyshime se veprimet e përmbaruesit, të Ministrisë së Financave dhe persona të tjerë, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga Buxheti i Shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur.
Organi procedues ka urdhëruar sekuestrimin e shumës se kaluar shtetasit Ilir Thanës dhe llogarisë qëllimore të përmbaruesit, duke arritur të sekuestrojë deri në këtë fazë të hetimeve rreth 22.000.000 lekë.
Kush ishte Arlind Gjokutaj?
Arlind Gjokutaj i arrestuar ditën e sotme ka mbajtur disa poste të rëndësishme. Ai u emërua si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në tetor të 2021. Më herët, ai ka mbajtur postin e drejtorit të doganave, ka qenë pjesë e Njësisë Speciale të Antikorrupsionit dhe Antievazionit si edhe te Drejtoria e Parandalimit të pastrimit të parave.