Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, deklaroi në një konferencë për mediat se nga policia do të dalë me një përgjigje përfundimtare për fatin e të shumëkërkuarit nga drejtësia, Ervis Martinaj, kur të kenë një provë të fortë.
“Ka pasur një vëmendje të posaçme për të zbardhur gjithë këtë mjegull që është ngritur mbi fatin e Ervis Martinaj. Policia jo vetëm që bën punën për ta zbardhur këtë ngjarje por dhe ka komunikuar me publikun për këtë gjë.
Ju keni qenë të informuar gjatë gjithë kësaj periudhe për veprime të ndryshme policore që kanë të bëjnë me zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Policia vepron sipas ligjeve dhe ka përgjegjësi ligjore për të deklaruar jë fakt të caktuar qoftë juridik, ose jo juridik.
Nga policia ju do të merrni një përgjigje përfundimtare deri sa të ketë një provë të fortë se çfarë ka ngjarë me këtë personazh. Pastaj pjesa e thashethemeve e llafeve dhe e skenarëve ato janë çështje dhe është i lirë, çdokush t’i bëjë, por nuk janë çështje e policisë”, u shpreh zyrtari shqiptar.
Martinaj është subjekt i SPAK pasi për të ka masë sigurie arrest me burg për akuzën e sigurimit të kushteve dhe mjeteve për vrasje.
9 gushti i vitit 2022 është dita kur familjarët e Ervis Martinajt humbën kontaktet me të afërmin e tyre.
Prej orës 20:00 të asaj dite, ata nuk kanë kontaktuar me Martinajn edhe nëpërmjet personave të tretë.
Një ditë më pas, familjarët denoncuan zhdukjen në komisariatin e Kurbinit dhe janë të frikësuar se diçka e keqe mund t’i ketë ndodhur, çka ngre dyshime se ai mund të jetë vrarë.
Prokuroria e Kurbinit e ka regjistruar çështjen vetëm për akuzën e rrëmbimit.