Një luftanije ruse e armatosur me raketa lundrimi hipersonike zhvilloi stërvitje në Detin Norvegjez.
Kjo është bërë e ditur nga Ministria e Mbrojtjes e Federatës Ruse.
Ekuipazhi i fregatës “Admiral i Flotës së Bashkimit Sovjetik Horshkov” zhvilloi stërvitje për zmbrapsjen e mjeteve të sulmit ajror të një armiku konvencional në Detin Norvegjez në kushte të vështira hidrometeorologjike”, thuhet në mesazh.
“Stërvitja për zmbrapsjen e sulmit ajror të armikut, raketave të aviacionit dhe kundër anijeve u krye me ndihmën e simulimit kompjuterik të situatës taktike me shkatërrimin e kushtëzuar të objektivave ajrore nga mjetet e zjarrit kundërajror të fregatës”, tha Ministria e Mbrojtjes.
Javën e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin dërgoi një fregatë të armatosur me një gjeneratë të re raketash lundrimi hipersonike në Oqeanin Atlantik, duke i sinjalizuar Perëndimit se Rusia nuk do të tërhiqet për shkak të luftës në Ukrainë.
Fregata është e armatosur me raketa Zircon, të cilat, sipas Rusisë, fluturojnë me nëntë herë shpejtësinë e zërit dhe kanë një rreze veprimi prej më shumë se 1000 km.
Rusia e sheh këtë armë si një mënyrë për të thyer mbrojtjen raketore gjithnjë e më të sofistikuar të SHBA-ve, për të cilën Putin ka paralajmëruar se një ditë mund të rrëzojë raketat bërthamore ruse.