Vatikani ka rihapur hetimin për zhdukjen e Emanuela Orlandi, e cila ka trazuar Italinë për gati 40 vjet.
“The Guardian” shkruan për këtë.
Emanuela ishte 15 vjeç kur u zhduk më 22 qershor 1983, teksa kthehej në shtëpi nga një leksion muzike në Romë.
Familja e Orlandit jetonte në Vatikan, ku babai i saj punonte për policinë.
Rasti ka ndezur disa versione, duke përfshirë mundësinë që Emanuela u rrëmbye nga një bandë për të shantazhuar Vatikanin për të liruar Mehmet Ali Agca, i cili u burgos në 1981 pasi tentoi të vriste Papa Gjon Palin II, por asnjë përgjigje konkrete nuk është dhënë kurrë.
Çështja u rihap pas disa hetimeve nga vëllai i madh i Emanuelës, Pietro, i cili luftoi pa pushim për të zbuluar të vërtetën për zhdukjen e saj.
Veç kësaj, hetimi do të fokusohet në rastin e Mirella Gregori, e cila ishte gjithashtu 15 vjeçe kur u zhduk në Romë disa javë para Orlandit, duke i thënë nënës së saj se do të dilte në një takim.
Prej kohësh besohet se mund të ketë një lidhje mes këtyre dy zhdukjeve.
Hetimi vjen disa muaj pas publikimit të dokumentarit të Netflix, The Vatican Girl, i cili eksploron teoritë rreth çështjes së Orlandit.
Në pretendimin më befasues, një mik i fëmijërisë së Emanuele-s i intervistuar në dokumentar tha se adoleshentja ishte ngacmuar nga “dikush i afërt me Papën”, i cili në atë kohë ishte Gjon Pali II.
Në vitin 2019, dy varre u hapën në Vatikan për të përcaktuar nëse eshtrat e Emanuela Orlandi ishin varrosur atje.
Aty nuk u gjetën as eshtrat e vajzës dhe as trupat e atyre që zyrtarisht konsideroheshin të varrosur atje.