Sylvio Mendes Campos Junior do të prezantohet sot nga Federata Shqiptare e Futbollit në krye të drejtimit të kombëtares shqiptare.
I njohur ndryshe si Sylvinho, braziliani do të zëvendësojë në këtë detyrë Edoardo Rejan, i cili trajnoi kuqezinjtë për 3 vite e gjysmë.
48-vjeçari ka përzgjedhur si ndihmës të tij argjentinasin, Pablo Javier Zabaleta Girod, dhe brazilianin Dorival Guidoni Junior.
Sylvinho dhe stafi i tij do të jenë sot në Tiranë për të hedhur firmat në kontratë dhe më pas për të bërë prezantimin e tyre në ora 11:00 në sallën e stadiumit “Air Albania”.
Një milion euro shpërblim për kualifikimin e Shqipërisë në Euro 2024, që do të zhvillohet në Gjermani.
Ndonëse ende nuk është zyrtarizuar, kjo pritet të jetë shifra që do të përfitojë Sylvinho dhe stafi i tij gjatë punës me Kombëtaren, nëse arrijnë objektivin madhor.
Shuma totale e vendosur si bonus është pothuajse dyfishi i pagës së trajnerit brazilian dhe ndihmësve të tij.
Edhe në këtë rast shifrat nuk janë ende zyrtare, por përflitet se paga e trajnerit gjatë 18 muajve të kontratës me Federatën e Futbollit do të jetë rreth 500 mijë euro, ndërsa 100 mijë euro të tjera janë paga për stafin.
Sylvinho është një trajner pa përvojë me një rrogë të përballueshme.
I ri, ambicioz dhe i aftë të shkëlqejë falë bashkëpunimeve me ish-trajnerin e Brazilit, Tite, ose si asistent i Mancinit te Interi.
Duket se ky kombinim ka qenë përcaktues në zgjedhjen e Sylvinhos në krye të pankinës së Kombëtares.
Gjithmonë me kushtin që pagesa dhe vazhdimësia me kuqezinjtë të varet nga rezultatet në fushë.