Për vrasjen e ndodhur të martën në Prizren, Policia e Kosovës ka arrestuar 6 persona, mes tyre pronarin e lokalit Kobra City, Dibran Hoxhaj. Ky i fundit para hetuesve nuk ka komentuar ngjarjen dhe nuk ka dhënë dëshmi të cilat mund të ndihmojnë hetimin ndërsa policia ka bërë kontrolle përveçse në ambientet e lokalit edhe në shtëpinë e tij. Të arrestuarit të enjten pritet të dalin para Gjykatës ku Prokuroria ka kërkuar masën ‘arrest në burg’. Lidhur me ngjarjes tragjike ka folur xhaxhai i viktimës, Besim Cengu. Ai tha se makina ku ishte Visart Cengu dhe dy shokët e tij nuk ka pasur armë. Pasi janë zënë, ka pasur goditje nga pas pasi është nisur makina.
“Predha ka qenë në shpinë dhe e ka kapur mushkërinë dhe një pjesë të zemrës dhe djali ka vdekur në vend”, tha Cengu në një prononcim për mediat kosovare.
Sipas Prokurorisë së Prizrenit, shkak dyshohet të jetë një faturë prej 400 eurosh, fakt të cilin nuk e mohon as xhaxhai i viktimës.
Viktima ka qenë emigrantë në Francë dhe ishte kthyer në vendlindje për festat e ndërrimit të viteve.
Ndërsa i plagosuri Rufgen Shehu ka marrë një plumb në këmbë dhe po mbahet në spital për ekazaminime të mëtejshme. Lokali ku ndodhi ngjarja pas kontrolleve është mbyllur nga policia e Kosovës.