Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit nuk arriti të zgjedhë Kryetarin e ri, ndërsa një grup ligjvënësish konservatorë vazhduan të votojnë kundër kandidaturës së kolegut të tyre republikan Kevin McCarthy.
Kjo ishte hera e parë në 100 vjet, që asnjë kandidat republikan apo demokrat nuk zgjidhet që në raundin e parë të votimit në postin e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve me 435 anëtarë.
McCarthy nuk arriti të zgjidhet kryetar pas tre raundesh votimi. 20 kolegë republikanë e kundërshtuan kandidaturën e tij në raundin e fundit.
Dhoma e Përfaqësuesve pritet të vazhdojë mesditën e së mërkurës me një raund të katërt votimi, por nuk është ende e qartë nëse do të ndryshojnë qëndrim disa nga kundërshtarët e zotit McCarthy, apo nëse do të shfaqen kandidatë të rinj.
Republikanët kanë një shumicë të ngushtë prej 222 anëtarësh në Dhomën e Përfaqësuesve kundrejt 212 që kanë demokratët, ndërsa një vend është momentalisht vakant. Për rrjedhojë, McCarthy i cili shërben prej 16 vitesh si ligjvënës nga Kalifornia, do t’i duhet të sigurojë të paktën 218 vota për t’u bërë kryetar.
57-vjeçari McCarthy, që është vetë një konservator i vendosur, është përpjekur prej vitesh të marrë drejtimin e Dhomës së Përfaqësuesve. Përzgjedhja e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve ndodh përpara se ligjvënësit të bëjë betimin për mandatin e tyre dyvjeçar.