Viti 2022 u mbyll me numrin më të ulët të lindjeve në Shqipëri në të paktën 6 dekadat e fundit.
Teksa kryeministri Rama uroi 11 foshnjat e para të vitit 2023, deklaroi se bonusi i bebes vitin e kaluar iu dha 42 mijë fëmijëve.
Por bonusin e marrin edhe ata fëmijë të familjeve shqiptare të lindur jashtë vendit.
Ndërsa brenda vendit tonë, Instituti Shtetëror i Statistikave, i njohur në vend me akronimin ‘INSTAT’, tregon një numër gati dyfish më të ulët të lindjeve, raportojnë mediat vendase.
Për nëntë muajt e parë të vitit 2022, në të gjithë vendin kanë lindur vetëm 17 mijë foshnja, ndërsa në total për vitin kjo shifër nuk pritet të kalojë 24 mijë.
Një shifër 30% më e ulët se në fillim të mandatit të parë të qeverisë Rama, kur maternitetet shqiptare prisnin çdo vit mbi 35 mijë të porsalindur.
Arsyet kryesore të rënies së natalitetit lidhen më së shumti me emigracionin e të rinjve, por edhe me pasiguritë ekonomike dhe sociale.
Qeveria ka vendosur aktualisht bonusin e bebeve si instrumentin e vetëm për të reaguar ndaj uljes së lindjeve.
Kjo politikë vitin e kaluar ofroi rreth 3 miliardë lekë për nënat e reja, në formën e pagesës 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për fëmijën e dytë dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë.
Por fakti që mbështetja financiare nuk mbulon as shpenzimet e shtatzënisë, siç janë analizat e shumta, nuk ka ndikuar në nxitjen e familjeve të reja për të lindur.