Shefi i stacionit policor në një nga pikat kufitare të Maqedonisë së Veriut me Serbinë, zëvendësi i tij dhe shtatë punonjës të tjerë të stacionit u arrestuan nën dyshimin se kishin marrë ryshfet nga shoferët për lehtësimin e kalimit kufitar.
Associated Press shkruan për këtë.
Në deklaratën e policisë thuhet se nëntë zyrtarë të cilët ndodheshin në pikën kontrolluese të Tabanovcës janë akuzuar për “konspiracion kriminal, ryshfet dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Tre oficerë të tjerë u akuzuan por nuk u arrestuan.
Policia tha se të dyshuarit kishin vepruar në mënyrë të organizuar për më shumë se dy vjet, duke pranuar para dhe dhurata nga njerëzit që donin të kalonin procedurat normale për kalimin e kufirit me Serbinë.
Gjatë një sërë kontrollesh në komisariat dhe në shtëpitë e punonjësve të policisë janë sekuestruar rreth 16.500 euro në prerje të ndryshme dhe sende të tjera.
Në rast gjykimi dhe dënimi, i dyshuari rrezikon deri në 20 vjet burg.
Lufta kundër korrupsionit është një nga prioritetet e qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe një nga kushtet kryesore për avancimin e aplikimit të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.