Për të garantuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve gjatë fetave të fundvitit policia e shtetit ka marrë disa masa të tjera shtesë. Këto masa lidhen me ruajtjen rendit përgjatë festave të fundvitit, natës së ndërrimit të viteve dhe ditëve të para të vitit të ri 2023, Policia është e angazhuar për të siguruar mbarëvajtjen e festave dhe për të parandaluar ngjarjet kriminale dhe ato rrugore. Kjo gjë lidhet me faktin se kanë nisur që të vijnë në vendin tonë emigrantët.
Uniformat blu do të intensifikojnë kontrollet në territor ndaj personave me precedentë kriminalë, i automjeteve të tyre, si dhe i ambienteve që ata frekuentojnë, bazuar në inteligjencën informative. Do të ketë kontrolle për personat që janë të shpallur në kërkim me vendim gjykate. Shtimi i sporteleve dhe i burimeve njerëzore, në të gjitha pikat e kalimit kufitar, me qellim shmangien e radhëve të gjata dhe për sigurimin e lëvizjeve të njëtrajtshme, në të dyja anët e kufirit. Po ashtu do të rriten kontrollet në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.
Ndërsa monitorimi i akseve rrugore, do të behët me makina inteligjente, radarë automatikë dhe me patrulla të lëvizshme, me mjete të pa uniformuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore. Prezencë të policisë së shtetit do të ketë në shëtitore, pedonale, objekte kulti dhe sheshe publike, në të gjitha bashkitë e vendit, për të garantuar mbarëvajtjen e festimeve gjatë natës së Krishtlindjes dhe gjatë natës së ndërrimit të viteve. Në gatishmëri për çdo situatë do të jenë forcat e lëvizshme operacionale (FLO) të Policisë së Shtetit, për të ndërhyrë në çdo moment, në rast së është e nevojshme.