Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se situata e sigurisë në veri të Kosovës është rënduar. Sipas tij, KFOR do të duhet të ndërhyjë sa më shpejt. Ministri ka theksuar se nëse NATO nuk ndërmerr hapa, do të jenë autoritetet kosovare të cilat do t’i heqin barrikadat.
“Ata [KFOR] kanë kërkuar një kohë që ata vetë të bëjnë largimin e barrikadave. Ne tani po presim që këtë angazhim të tyre ta realizojnë. Por, pasi janë bërë 13 ditë dhe ne kemi policë të bllokuar në stacionin policor Jarinjë dhe Leposaviq, ditët që po numërohen, po u vije fundi. Unë besoj se KFOR-i dhe gjithë faktori ndërkombëtar do të angazhohet maksimalisht që këtë ta bëjnë sa më shpejt që të jetë e mundur. Por, për hir të një stabiliteti më të madh, ne po presim që kjo të bëhet nga vetë ata që kanë vendosur barrikadat apo KFOR-i. Por, pritja e ka fundin e saj”, tha Sveçla.
Ditën e sotme, gjatë protestës në Rudarë të Zveçanit, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq paraqiti kushtet për heqjen e barrikadave. Ai kërkoi që paraprakisht të lirohen serbët e arrestuar, të tërhiqen “listat sekrete për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve” dhe të tërhiqen njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.