Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk kanë rënë dakord që të zhvillojnë një ndeshje boksi në fillim të vitit 2023, për të përcaktuar kampionin e padiskutueshëm të botës për peshat e rënda. Lajmin e dha promotori i boksierit britanik, Bob Erum.
Tyson Fury prej javësh kishte sfiduar publikisht ukrainasin, i cili mban brezat e WBA, IBF, WBO dhe IBO, për të matur forcat në ring. Së fundmi ai u ndesh me britanikun tjetër Derek Chisora dhe e fitoi ndeshjen në raundin e 10 duke mbajtur titullin WBC.
Data dhe vendndodhja e saktë për këtë duel midis dy kampionëve të peshave të rënda ende nuk janë përcaktuar.
Për të pritur eventin unik të boksit, ka interesim nga Lindja e Mesme. Por një opsion është që ndeshja të zhvillohet në Britaninë e Madhe. Organizatorët do të përcaktojnë detajet e eventit shumë shpejt, në mënyrë që gjithçka të jetë gati në fillim të vitit të ardhshëm./ Klan News