Kombëtarja e Argjentinës, kampionia e re e botës, mbërriti në aeroportin ndërkombëtar “Ezeiza”, në periferi të kryeqytetit Buenos Aires, në orët e para të mëngjesit të së martës.
Futbollistët bardhekaltër, të udhëhequr nga kapiteni Leo Mesi që mbante në duar Kupën e Botës, zbritën nga avioni entuziastë. Lojtarët e përfaqësueses, ecën në tapetin e kuq e më pas hipën në një autobus, ku u drejtuan në qendrën stërvitore të Federatës së Futbollit të Argjentinës.
Festime të mëdha priten ditën e mërkurë te “Obelisku”, sheshi qendror i kryeqytetit argjentinas.
Te ky monument, organizohen festimet sportive sa herë kombëtarja apo klubet kryesore të Buenos Airesit fitojnë trofe. Argjentina u shpall kampione e botës pasi mundi në finale Francën me rezultatin 4-2 me penallti, pasi sfida përfundoi barazim 3-3.
Kjo finale konsiderohet si një ndër më të bukurat në historinë e futbollit. Ndërkohë që festa vazhdon nga tifozët argjentinas, të cilët i gëzohen titullit të tretë botëror në histori.
Mesi ishte ndër protagonistët e këtij suksesi, duke i dhënë vendit Kupën e Botës pas 36 vitesh. Argjentinasit, të cilët dolën në rrugë në çdo cep të vendit pasi fituan Botërorin e tretë, po presin me padurim ardhjen e ekipit për të vazhduar festimet./ Klan News