Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte sot në Pragë ku mori pjesë në ceremoninë zyrtare të dorëzimit të dokumentit të aplikimit të Kosovës për në Bashkimin Evropian.
Dorëzimin e bëri në Presidencën çeke në Pragë, ndërsa në fjalën e tij, ai u shpreh se kjo është një ditë historike për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Sipas Kurtit, ky dokument anëtarësimi mbart edhe shpresën e gjithë qytetarëve të Kosovës për t’iu bashkuar unionit evropian, ndërsa tha se nga sot do të nisë një epokë e re për Kosovën, ajo e perspektivës evropiane.
“Jemi këtu për të konfirmuar angazhimin e Kosovës për vlerat e këtij komuniteti, duke dorëzuar dokumentin e aplikimit të Kosovës për në Bashkimin Evropian. Letra që kam me vete mbart edhe shpresën e qytetarëve të Kosovës, ndaj shpreh dëshirën tonë për t’iu bashkuar Evropës. Ne shpresojmë që të bëhemi pjesë në këtë të ardhme të përbashkët me BE”, u shpreh Kurti.