Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka ‘shpalosur’ kërkesat që ka për Kosovës, pasi ka 2 ditë që ka lejuar bllokimin e veriut të Kosovës, nga ato që Kosova i cilëson si ‘grupe kriminale’. Ai ka kërkuar lirimin e serbëve të burgosur në veri të Kosovës. Vuçiç ka theksuar se rrugët janë bllokuar në shenjë revolte.
“Është e rëndësishme që Dejan Pantic dhe shumë serbë të tjerë të lirohen sepse nuk kanë asnjë provë kundër tyre. Kjo është pika kyçe, ata kanë bërë aktakuzat kundër tyre dhe sigurisht që policia e Kosovës nuk ka çfarë të bëjë në veri të rajonit, e veçanërisht jo njerëzit e armatosur deri në dhëmbë me armë zjarri ’, është shprehur Vuçiç.
Për tensionet në veri të Kosovës ai akuzoi kryeministrin Albin Kurti dhe autoritet në Prishtinë.
‘Kur ia vë fajin dikujt dhe kur dëshiron të fajësosh dikë, të gjesh fajtorin edhe kur ajo palë nuk është fajtore, vetëm sepse duhet të mbrosh fëmijën që ke bërë , atëherë është gjëja më e lehtë të thuash shiko, dikush ka vendosur barrikada dhe pa pyetur pse. Nuk i shqetëson shqiptarët, asnjë shqiptar nuk jeton atje, asnjë shqiptar nuk i përdor ato rrugë, vetëm serbët i përdorin’, u shpreh presidenti i Serbisë.
Ai pati edhe një kundërpërgjigje për deklaratën e ministres së jashtme gjermane Annalena Baerbock e cila i quajti paralajmërimet e Serbisë për shqyrtimin e dërgimit të forcave të saj në Kosovë si të papranueshme.
‘Nuk kam qenë në dijeni se zonja Baerbock është komandantja e KFOR-it, por është mirë që kemi marrë përgjigjen nga KFOR-i edhe para se ta dërgonim letrën. Por, kjo tregon se nuk ka asnjë akt të vetëm që dikujt në Berlin të mos i pëlqejë dhe të jetë i zbatueshëm. Pyetja ime është cili akt është ai që është i zbatueshëm për Berlinin? A është kapitulli i OKB-së? A është Rezoluta 1244 e cila është në përputhje me Kapitullin? A është marrëveshja e Brukselit? A është marrëveshja e Uashingtonit? Le të na thonë se cila marrëveshje është e zbatueshme’, e mbylli intervistën e tij Vuçiç.
Beogradi dhe Prishtina po zhvillojnë bisedime në Bruksel për të tentuar të normalizojnë marrëdhëniet dhe BE ka paraqitur tashmë një plan.