Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Jens Stoltenberg, tha se i frikësohet mundësisë që lufta në Ukrainë të zgjerohet në një “luftë të madhe ndërmjet NATO-s dhe Rusisë”, por beson se kjo mund të shmanget.
Stoltenberg e tha këtë në një intervistë për NRK, të publikuar të premten.
“Kam frikë se lufta në Ukrainë do të dalë jashtë kontrollit dhe do të kthehet në një luftë të madhe midis NATO-s dhe Rusisë. Por jam i sigurt se ne do të jemi në gjendje ta shmangim atë,” tha ai, duke vënë në dukje se Aleanca ka rritur praninë e saj në krahun lindor.
Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Putini nuk mund të dyshojë në gatishmërinë e Aleancës për të mbrojtur anëtarët e saj: “Detyra më e rëndësishme e NATO-s është të parandalojë një luftë në shkallë të gjerë në Evropë, dhe kjo është ajo për të cilën ne po punojmë çdo ditë”.
Stoltenberg beson se Putini ka llogaritur gabim kur vendosi të pushtojë Ukrainën.
“Unë nuk mendoj se ai do të arrijë të thyejë Ukrainën. Përkundrazi, ai do të mobilizojë edhe më shumë mbështetje për Ukrainën,” tha ai.
Në të njëjtën kohë, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës paralajmëroi se nuk duhet nënvlerësuar rreziku i situatës aktuale në botë.
“Ne jemi përballur me testin nëse liria mund të luftojë kundër një regjimi autoritar. Unë i kuptoj ata që mendojnë se çmimet e ushqimit dhe energjisë elektrike janë shumë të larta. Ky është një çmim i dhimbshëm që ne paguajmë në Evropë. Por nëse Putini fiton Ukrainën dhe rrezikon lirinë tonë, do të duhet të paguajmë një çmim shumë më të lartë”, theksoi Stoltenberg.