Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në përfundimin të konsultimeve të Nenit IV me Shqipërinë ka përsëritur kritikat e tij kundër amnistisë fiskale, që rrezikon pastrimin e parave, ndërsa ka paralajmëruar se ekonomia është gjithashtu e ndjeshme ndaj kushteve të pafavorshme të motit dhe një ndryshimi në rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme.
Fondi tha në një deklaratë zyrtare se ekonomia këtë vit pritet të rritet me 3.7%, duke u ngadalësuar në 2% vitin e ardhshëm.
Fondi bëri thirrje për konsolidim fiskal, kontroll më të mirë të projekteve të partneritetit publik privat, vazhdim të reformave dhe ulje të informalitetit që do të ndikonte në reduktimin e emigracionit.
FMN paralajmëroi se një shtrëngim më i fortë i kushteve financiare globale mund të pengojë aksesin e Shqipërisë në financimin e tregut të jashtëm.
FMN theksoi rëndësinë e një daljeje të përshpejtuar nga lista gri e pastrimit të parave e FATF, mekanizimit të Komisionit Europian kundër parandalimit të pastrimit të parave, ku Shqipëria rihyri në vitin 2020.
FMN theksoi rëndësinë e vigjilencës së shtuar për të ruajtur stabilitetin financiar duke pasur parasysh rritjen e shpejtë të kredisë dhe aktivitetet e lidhura me pasuritë e paluajtshme.
Sipas deklaratës së sapopublikuar, pas një rimëkëmbjeje të fortë në vitin 2021, ekonomia shqiptare ka ruajtur vrullin pozitiv pavarësisht tronditjes së ekonomisë globale nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.
Rritja reale e PBB-së pritet të arrijë në 3.7 për qind në vitin 2022, si pasojë e aktivitetit të fortë në turizëm, pasuri të paluajtshme dhe shërbime.
Rritja pritet të ngadalësohet në rreth 2 për qind në vitin 2023, duke reflektuar kushtet më të shtrënguara financiare, ngadalësimin në Europë dhe tërheqjen e mbështetjes së politikave.
Inflacioni është rritur, i nxitur nga çmimet e ushqimeve dhe energjisë, dhe është bërë gjithnjë e më i gjerë. Inflacioni total pritet të arrijë kulmin në muajt e ardhshëm dhe duhet të fillojë të ulet në vitin 2023.
Inflacioni pritet të kthehet në objektivin e bankës qendrore prej 3 për qind nga mesi i vitit 2024, teksa çmimet ndërkombëtare të mallrave të stabilizohen, politikat fiskale dhe monetare të shtrëngohen dhe rritja të ngadalësohet.
Borxhi i qeverisë së përgjithshme pritet të bjerë më tej në nën 70 për qind të PBB-së në fund të vitit 2022, i ndihmuar nga rritja e vazhdueshme ekonomike dhe një deficit i pritshëm më i vogël në krahasim me vitin e kaluar.
Në mungesë të goditjeve të reja, borxhi pritet të vijojë reduktimin, duke arritur në rreth 64 për qind të PBB-së në vitin 2027, por nevojat për financim bruto do të mbeten të konsiderueshme.
Sistemi financiar i ka përballuar relativisht mirë goditjet e njëpasnjëshme dhe kreditimi për ekonominë ka vazhduar.
Ekonomia është gjithashtu e ndjeshme ndaj kushteve të pafavorshme të motit dhe një ndryshimi në rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme.
Megjithatë, rreziqet zbuten nga niveli i duhur i rezervave ndërkombëtare të Shqipërisë. (MONITOR)