Situata e tensionuar në veri të Kosovës, përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilat u shprehën të shqetësuara për atmosferën në të cilën do të mbahen zgjedhjet e komunave në fund të muajit, ka reaguar edhe Bashkimi Europian.
Sipas këtij të fundit, tensionet në veri të Kosovës kanë si fajtorë të dyja palët për shkak se kjo situatë ka ardhur si pasojë e veprimeve të të dyja palëve.
“Kjo është natyrisht shumë serioze dhe është pikërisht rezultat i përshkallëzimit, të cilin po e shohim javëve të fundit. Është po ashtu vërejtje se si veprimet e të dyja anëve çojnë deri te kjo situatë” ka thënë një zyrtar i BE-së në kushte anonimiteti. Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX, tashmë është duke ndihmuar Policinë e Kosovës, pas dorëheqjeve masive. Italia, për shembull, ka dërguar përforcime para disa javësh. Kemi thënë në prononcimet tona se EULEX-i është reaguesi i dytë i sigurisë që ndihmon Policinë e Kosovës, por ky mision nuk mund të kompensojë 100 për qind hapësirën e zbrazët që është krijuar me largimin e policëve me përkatësi etnike serbe”, thuhet në njoftimin e Bashkimit Europian.