Për situatën e fundit në veriun e Kosovës, ku u sulmuan me bomba dhe me armë zjarri zyrat e Komisioneve Komunave Zgjedhore, ka reaguar ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier. Diplomati amerikan thotë se përdorimi i dhunës dhe frikësimit asnjëherë nuk duhet të pranohen si metodë proteste, derisa konsideron se, nuk ka kushte për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ata që kanë ushtruar dhunë gjatë incidenteve të djeshme në veriun e Kosovës. Përdorimi i dhunës dhe frikësimit, duke përfshirë përdorimin e një mjeti shpërthyes dhe rrezikimin e jetëve, nuk është kurrë një metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë”, ka shkruar Hovenier në Twitter.
Po ashtu në reagimin tjetër, Hovenier thotë se SHBA-të janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës.
“Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të ushtrojnë përmbajtje”, ka deklaruar ai.
Reagimi i ambasadorit amerikan vjen pasi natën e kaluar, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, grupe të organizuara dhe të maskuara, kanë sulmuar me bomba e me armë zjarri zyrat komunale të zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut dhe në Zubin Potok.