Kreu i PD-së, Sali Berisha, në konferencën e përjavshme ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e 6 dhjetorit.
Sipas tij, vetëm qytetarët e lirë që vendosin të mbrojnë lirinë dhe të drejtat e tyre, protestojnë, kurse njerëzit e nënshtruar thonë ç’më duhet mua, ulin kokën dhe heshtin.
“Për çdo qytetar, pavarësisht nga bindjet e tij, protestat janë shprehje e lirisë dhe ushtrim i lirisë nga qytetari.
Vetëm qytetarët e lirë që vendosin të mbrojnë lirinë dhe të drejtat e tyre, protestojnë, kurse njerëzit e nënshtruar thonë ç’më duhet mua, ulin kokën dhe heshtin.
Qytetarët kanë të drejtë të dëgjohen dhe protesta është një nga mënyrat më të fuqishme që ata të dëgjohen.
Protesta është pra zëri i qytetarëve, është zëri juaj.
Protestat kundër qeverisë janë jetike, janë domosdoshmëri për të ruajtur lirinë, për t’i bërë presion qeverisë për të mos abuzuar me pushtetin e saj.
Por unë sot dua të shtroj pyetjen për çdo qytetar: cila është e keqja e protestës? Ç’e keqe do të na ndodhë nga protesta?
Asnjë e keqe, asgjë e keqe. Vetëm të mira, vetëdijësim, presion, kërkim llogarie, demonstrim se guxojmë si njerëz të lirë.
Të këqijat ndodhin kur njerëzit nuk reagojnë, kur mërmërsin se ç’më duhet mua dhe heshtin.
Të këqijat ndodhin kur qeveritë manipulojnë opinionin ndërkombëtar për të ruajtur korrupsionin e tyre dhe keqqeverisjen e tyre.
Zëri i qytetarëve në rrugë vetëm e forcon demokracinë dhe lirinë, vetëm e kufizon të keqen dhe keqqeverisjen”, është shprehur Berisha.
Sipas Berishës, protesta e 6 dhjetorit është një kundërsulm mbi dëmin e Edi Ramës ndaj imazhit të Shqipërisë.